Telegrafi

Fillon Dialogu i Ohrit, diskutohet për hapat e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut

Dialogu i Ohrit sot zyrtarisht ka filluar me panel diskutimin për hapat e ardhshëm që e presin Maqedoninë e Veriut.

Si pjesë e grupit të Ohrit janë edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, shumë diplomatë të mëparshëm dhe të sotëm, qëllimi i së cilëve është që me anë të zgjidhjeve aktive ti ndihmojnë Maqedonisë së Veriut në realizimin e integrimeve të saja euro-atlantike.

Kryeministri Zoran Zaev ju uroi mirëseardhje mysafirëve në Ohër të cilët janë të pranishëm në “Dialogun e Ohrit”.

Në seancën e mëngjesit, pjesëmarrësit ranë dakord që ata janë këtu për të ndihmuar në përparimin edhe më të madh në integrimin euro-atlantik të shtetit. Ata thanë se para 20 viteve mendohej se anëtarësimi në NATO, është mision i pamundshëm, me një konflikt sapo të përfunduar dhe me shumë ndasi në shoqëri.

Ata shtuan se sot Maqedonia e Veriut është në prag të anëtarësimit të plotë në NATO dhe mbetet e përkushtuar për zbatimin e standardeve të BE-së./Telegrafi/