Telegrafi

Filloi të qëllojë me armë të ndryshme mbi civilët, ushtari amerikan reagon – e godet me veturë sulmuesin për të parandaluar masakrën

Një ushtar në Kansas të SHBA-ve ka arritur që qindra bashkëqytetarëve t’ua shpëtojë jetën gjatë të mërkurës, kur goditi me veturë një person që po shtinte me armë mbi masën e qytetarëve në afërsi të një baze ushtarake.

Si rezultat i kësaj një person është lënduar, kurse komandanti i policisë, Patrick Kitchens, ka bërë të ditur se edhe një person (gjithashtu ushtari) ishte viktimë, pasi ka pësuar lëndime trupore, transmeton Telegrafi.

Policët që i ishin përgjigjur telefonatës për incident, fillimisht kishin menduar se bëhet fjalë për ndonjë zënkë që mund të ketë ndodhur pas një aksidenti në urën Centennial që lidh Kansasin me Missourin, jo larg bazës ushtarake Fort Leavenworth.

Megjithatë ata zbuluan se një burrë që kishte armë të ndryshme po shtinte me to në drejtim të veturave tjera civile. Në një moment ai kishte ngecur brenda veturës së tij. E ushtari 34-vjeç kur e pa se çfarë po ndodhte, ia mësyu sulmuesit të cilin e goditi me veturë.

“Ushtari ka vepruar duke e sulmuar personin që shtinte me armë të ndryshme, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, por edhe duke i dhënë fund një masakre që ka mundur të ndodh”, ka shtuar komandanti i policisë.

Sulmuesi duket se nuk i kishte përzgjedhur objektivat, thjesht qëllonte këdo që i dilte përpara. Bëhet fjalë për një 37-vjeçar banor i Platte County në Missouri. Ai kishte me vete pushkë gjysmë automatike, revole dhe disa mjete shpërthyese. /Telegrafi/