Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me një minutë heshtje në shenjë respekti për viktimat e vërshimeve e ka filluar seancën e sotme me një pikë të vetme të rendit të ditës, Gjendja në zonat e prekura nga fatkeqësitë e motit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Qeveria deri te Kuvendi ka dërguar Raport për aktivitetet e Sistemit për menaxhim me kriza, lidhur me Vendimin për gjendje të krizës për shkak të sasisë së rritur të reshjeve dhe vërshimeve në një pjesë të territorit të Maqedonisë dhe aktivitetet e ndërmarra nga institucionet kompetente në zonat e kapluar nga vërshimet.
Para deputetëve ka raportuar zëvendëskryeministri Nikolla Todorov duke thënë:
“Moti i ligë ishte i paparashikueshëm. Ishte katastrofë natyrore. Para fuqisë së natyrës nuk ka mbrojtje. Shteti me të gjitha forcat dhe organizatat vullnetare maksimalisht u munduan ta kthejnë vendin në normale. Gjatë këtyre ditëve isha dëshmitarë i vullnetarizmit të pashoq të funksionarëve shtetërorë që ndihmuan në terren. Disa po tentojnë të krijojnë ndarje te qytetarët, tash më së paku na ndahen ndarje, qofshin etnike apo partiake. Duhet të shpërndajmë solidaritet”.
Ai ka theksuar se vullnetarët po edhe institucionet po u ndihmojnë të gjithëve për pa dallime, fetare apo etnike.
Blagoja Stojanovski i LSDM opozitare ka akuzuar qeverinë se masat që i ka ndërmarrë ajo deri më tani nuk janë të mjaftueshme dhe konkrete.
“Të propozojmë masa konkrete. Urgjentisht, gjatë javës që vjen t’u jepet paradhënie banorëve të prekur, që të fillojnë sanimin. Shuma të cilën e ka paraparë Qeveria është e ulët. Numri më i madh i kësaj ane ekziston nga bujqësia, duhet tu jepet ndihmë bujqësore. Të mundohemi të ndajmë sa më shumë mjete financiare, minimum nga 50 euro për metër katror të sipërfaqes së vërshuar. Duhej që nga e hëna të kishte organizim më të mirëfilltë. Ne tek pas një jave po shohim njëfarë organizimi. Duhet të mbajmë llogari që kjo të mos ndodhë të ardhmen”, ka thënë ai.
Sipas Stojanovskit, institucionet për menaxhim me kriza dhe mbrojtje civile janë vetëm në letër.
Ministri i mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Zoran Jolevski ka folur për ndihmën të cilën e ofron ARM në terren, duke u ndihmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë personave të prekur nga vërshimet.
Në seancën e sotme të Kuvendit nuk është vërejtur prania e kryeministrit teknik Emil Dimitriev dhe e kryetarit të shtetit Gjorgje Ivanov./Telegrafi/