Telegrafi

Filloi ndërtimi tri shtëpive në veri, nga 200 sosh që do t’i ndërtojnë MAPL dhe “Jetimat e Ballkanit”

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe kryetari i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, kanë qëndruar në tri familje në veri të Kosovës të cilave sot është filluar t’u ndërtohen shtëpitë e reja.

Kastrati, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “bashkë me ministrin e Pushtetit Lokal, z.Elbert Krasniqi, vizituam tre familje në këtë zonë, të cilave ua kumtuam lajmin e gëzueshëm se do të bëhen me shtëpi të reja”.

“Ju rikujtojmë se kemi një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Pushtetit Lokal për ndërtimin e 200 shtëpive në Veri, ku 100 prej tyre do të ndërtohen nga Shoqata ‘Jetimat e Ballkanit’.

Sot filluam me tri shtëpi, ndërsa gjatë javëve të ardhshme do të vazhdojmë me ndërtimin e të tjerave”, ka shkruar Kastrati. /Telegrafi/