Po rrjedh afati për paraqitjen e kërkesës për amnisti për ngjarjet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill të vitit 2017, pasi që Ligji për amnisti u publikua në Gazetën Zyrtare, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov, nënshkroi ligjin mbrëmë dhe ajo u botua menjëherë në Gazetën Zyrtare, konfirmoi dje Drejtori i Ndërmarrjes Publike së Gazetës Zyrtare, Martin Kostovski.
Ligji hyn në fuqi me ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë.
“Ata që akuzohen për ngjarjet e 27 prillit kanë afat prej pesë ditësh pas publikimit të ligjit në Gazetën Zyrtare për të kërkuar amnisti, nëse ata konsiderojnë se i përmbushin kërkesat ligjore të përshkruara. Ata do të duhet të kërkojnë vetë amnisti, ndërsa Gjykata dhe Prokuroria gjithashtu do të duhet t’u përgjigjet brenda pesë ditësh se cilët persona do të falen dhe cilët jo.
Sipas ligjit, amnistia nuk do të përfshi organizatorët, personat që kanë kryer dhunë fizike, ato të cilët mbanin armë, dhe zyrtarët të cilët kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare./Telegrafi/