Telegrafi

Filipçe për abortin: Mëmësia është e drejtë ekskluzive e grave

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, sot në Kuvend në seancën e dedikuar për debat publik për propozim-ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë, tha se mëmësia është e drejtë ekskluzive e gruas dhe se ajo duhet të vendos sa fëmijë dëshiron.

Filipçe tha se e drejta për fëmijë nuk ju takon gjykatësve, priftërinjve, hoxhallarëve, mjekëve, e aq më pak politikës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Detyra jonë është të sigurojmë kushte që gratë ta marrin këtë të drejtë, ndërsa shteti të sigurojë institucione dhe ekspertiza që kjo të përfundojë në mënyrë cilësore dhe profesionale,” tha Filipçe, duke shtuar se me ndryshimet ligjore shfuqizohen barrierat administrative, gjegjësisht pritet prej tre ditëve pas këshillimit.

Ai tha se me propozim-ligjin e ri për Ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë sigurohet respektimi i dinjitetit të grave shtatzëna, e drejta e privatësisë, informimit, pranimit dhe refuzimit të intervenimit mjekësor dhe mbrojtjes shëndetësore.

“Sigurohet privatësia e grave, ajo është e lirë të vendos, të këshillohet, të ketë qasje në intervenim të sigurt dhe cilësor, duke zbatuar metodat e rekomanduara të ndërprerjes së shtatzënisë”, tha Filipçe./Telegrafi/