FIFA ka lënë të hapur mundësinë që lojtarët kosovarë të Zvicrës t’i bashkohen Kosovës.
Në komunikimin elektronik të zyrtarëve të saj me gazetarët e “Blick”, ata kanë shpjeguar se në rast kërkese të emrave si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, ajo do të merrej në shqyrtim nga Komisioni i Statusit të Lojtarit, me mundësi reale për t’u pranuar.
Por, sipas presidentit të Federatës Zvicerane, Peter Gillieron, do të jetë e pamundur që lojtarë të cilët kanë luajtur në ndeshje zyrtare, të ndryshojnë kombëtaren.
“Ne e marrim thuajse të mirëqenë se asnjë lojtar me nënshtetësi të dyfishtë kosovare dhe zvicerane që ka luajtur në një kompeticion zyrtar nuk mund të ndërrojë kombëtaren”, u shpreh Peter Gillieron.
Megjithatë, sipas “Blick”, një precedent i rrezikshëm mund të krijohet shumë shpejt nga kërkesa e një lojtari që ka veshur fanellën e Shqipërisë, i cili do të synojë t’i bashkohet kombëtares së Kosovës.