Asnjë ndryshim pozicioni për kombëtaren shqiptare të futbollit në renditjen e re të publikuar nga FIFA.
Edhe në klasifikimin e muajit gusht kuqezinjtë e Gianni De Biasit vazhdojnë të mbajnë vendin e 37-të në botë në kuotën e 739 pikëve.
Shumë pak kombëtare kanë arritur të fitojnë pozicione ose të humbasin ndonjë vend në renditje në këtë klasifikim të ri të publikuar nga qeveria e futbollit botëror kjo për vetë faktin se shumica e ekipeve përfaqësuese nuk kanë zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare apo miqësore që pas përfundimit të Euro 2016-të.
Kombëtarja shqiptare në klasifikimin e FIFAs për muajin gusht lë pas përfaqësuese të tilla si Rusia, Irani, Suedia, Senegali e Paraguai ndërsa përpara në renditje ka kombëtare si Republika Ceke, Gana apo Bregu i Fildishtë.
Dy impenjimet e radhës për kombëtaren kuqezi janë ato ndaj Marokut dhe Maqedonisë. Miqësorja ndaj përfaqësueses afrikane do të zhvillohet në datën 31 Gusht në stadiumin Loro Borici ndërsa sfida eliminatore për kualifikueset e Botërorit Rusi 2018, pesë ditë më pas në të njëjtin stadium.
Ndërsa sa i përket kundërshtarëve të Shqipërisë në grupin G të eliminatoreve të Kupës së Botës, Spanja pozicionohet në vendin e 8-të në renditjen e FIFAs, Italia në vendin e 10-të, Izraeli shumë më poshtë se kuqezinjtë në vendin e 76-të, Maqedonia e 138-ta ndërsa Lihtenshtejni i 182-ti.
Klasifikimi vazhdon të kryesohet nga Argjentina e ndjekur nga Belgjika dhe Kolumbia.