Telegrafi

FIFA i jep shpresë Kosovës për çështjen e yjve

FIFA nuk ka komentuar në mënyrë të detajuar për të ardhmen e lojtarëve nga Kosova që aktualisht paraqiten për përfaqësuese tjera.

Por zyra e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit ka lënë shpresë se ata në të ardhmen do të mund të luajnë për Kosovën.

Agjencia e njohur e lajmeve AP ka shkruar të martën për problemet politike që mund të paraqiten pas pranimit të Kosovës në FIFA, që pritet të ndodhë më 13 maj, kur në Meksikë mbahet kongresi i FIFA-s.

AP ka shkruar se rasti i Kosovës është kompleks dhe hap pyetje se kush do të ketë të drejtë të luajë për Kosovën, shkruan Koha Ditore.

“Ka shumë lojtarë në Evropë që Kosova mund t’i ftojë dhe ata kanë shprehur dëshirë që të zgjedhin ngjyrat e Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fazli Berisha.

Nëse lojtarëve u lejohet që të zgjedhin Kosovën, atëherë përfaqësuesja e Zvicrës do të jetë ndër më të goditurat. Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Valon Behrami janë ndër lojtarët kryesorë të Zvicrës. Të tre janë nga Kosova.

Për sekretarin e përgjithshëm të Federatës zvicerane, Alex Miescher, shtyrja e lojtarëve që të bëjnë një zgjedhje nuk është korrekte. Zvicra ka kërkuar që pranimi i Kosovës në UEFA, që ndodhi më 3 maj, të shtyhej.