Site icon Telegrafi

Fico: Ka dyshime se ka ardhur varianti britanik dhe afrikan i COVID-19 në Shqipëri

Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico thotë se procesi i vaksinimit në Shqipëri po ecën pa probleme. Por, ka gjasa që ndërkohë në vend të kenë arritur edhe mutacionet.

Pas arritjes së 7,020 dozave vaksinash nga kompania BioTech-Pfizer në Shqipëri në procesin e vaksinimit janë përfshirë Tirana, Vlora dhe Shkodra si pika kyçe dhe ndërkohë vaksinime po kryhen edhe në Fier, Elbasan dhe Gjirokastër, thotë në një intervistë për Deutsche Welle, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico.

Sipas saj vaksinimi po kryhet pa probleme.

Në “Planin Kombëtar të Vaksinimit kundër COVID-19” janë përcaktuar qartë grupet prioritare të popullsisë që do të marrin së pari vaksinën. Sipas planit, ka filluar vaksinimi i personelit të vijës së parë të luftës kundër COVID-19, pra ata në spitale, personeli i urgjencave, i reparteve të reanimacionit në spitalet COVID-19. Në të njëjtën kohë me vaksinimin e këtyre grupeve po bëhet edhe vaksinimi i personave që ndodhen në qendrat rezidenciale të të moshuarve.

Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të drejtëpërdrejtë me BioNTech-Pfizer dhe pret që të vijnë 500 mijë doza.

“Ndërkohë kemi nënshkruar edhe një marrëveshje me COVAX për një milion e njëqind e katërmbëdhjetë mijë doza vaksinash, që janë parapaguar me një fond prej 3.9 milionë dollarë. Po punohet në mënyrë intensive për të siguruar edhe marrëveshje të tjera të drejtpërdrejta me prodhues të vaksinave kundër COVID-19, që kanë kaluar filtrin e rregullatorëve strikt si Food and Drug Administration (FDA) apo European Medicine Agency (EMA)”, thotë Fico.

Bazuar ne testimet që kryhen në laboratorin e Virologjisë të Institutit të Shëndetit Publik ka dyshime të arsyeshme se në Shqipëri qarkullojnë ndërkohë shtamet mutante të virusit COVID-19 që njihen si virusi britanik apo afrikano jugor.

Drejtoresha e këtij institucioni thotë se, “kemi seleksionuar dhe dërguar mostra në laboratorë reference jashtë vendit dhe jemi në pritje të rezultateve”.

Pyetjen e DW-së se, nëse ka gjasa ka që rezultati i testeve që bëhen në Shqipëri për të ditur nëse je i infektuar ose jo me virusin COVID-19 mund të manipulohen, sikurse pretendohet në një lajm të botuar ditët e fundit në mediet greke, Albana Fico e kundërshton.

Sipas medieve greke shqiptarë të infektuar me virusin kalojnë kufirin me teste që janë negative dhe pasi hyjnë në tokën greke dalin pozitivë dhe kurohen së shumti në spitalet e Janinës.

Albana Fico u kundërvihet lajmeve të tilla.

“Absolutisht që nuk ka gjasa që kjo të ndodhë. Le të mos ngatërrojmë faktin që kryerja e testit për të zbuluar infektimin ose jo me virusin COVID-19 dhe marrja e rezultatit janë të lidhura ngushtë me kohën dhe ngarkesën virale në momentin e kryerjes së testit”, përfundon ajo. /Deutsche Welle/

Exit mobile version