Komiteti Ekzekutiv (KE) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) mbajti të martën mbrëma mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e kryetarit Agim Ademi dhe mori disa vendime në lidhje me edicionin e ri të garave.
Në mbledhjen e mbajtur, KE bëri një rezyme për përfundimit të garave në të gjitha rangjet dhe kategoritë me konstatimin se garat ishin zhvilluar sipas dinamikës së paraparë e që reflektuan me ngritje të cilësisë, shtim në organizim dhe rivalitet sportivë.
KE uroi ekipet që arritën të kalojnë një rang më të lartë të garave, ndërsa atyre që u larguan nga ligat u dëshiroi suksese në të ardhmen.
KE caktoi datën 31 korrik kur do të hedhet shorti i garave për edicionin 2023/2024, ndërsa edicioni i ri 2023/2024 fillon me garat e Superligës më 12 gusht, ndërkaq ato të Ligës së Parë më 19 gusht.
Njëkohësisht, FFK ka njoftuar se garat e Ligës U21 nisin njëjtë me garat e Superligës më datë 12 gusht.
KE miratoi edhe Rregulloret e garave në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave.
Në këtë mbledhje ndër çështjet kryesore që u diskutuan ishte zgjedhja e ekipit të trajnerëve që do ta drejtojë Përfaqësuesen e Kosovës në ndeshjet e mbetura të ciklit kualifikues për Euro 2024.
KE shqyrtoi edhe Kërkesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi. /Telegrafi/