FFK ka mbajtur Kuvendin e Punës për vitin 2018, ku u morën disa vendime. Ky kuvend mbahet një herë në vit dhe pasqyron të arriturat e kësaj Federata brenda 12 muajve.
Delegatët kanë votuar për Raportin e Punës dhe Raportin Financiar për vitin 2018 në FFK, Raportin e Garave dhe parashtresa e ankesa dhe vendime të ndryshme.
Në këtë Kuvend, që u mbajt në Hotel “Emerald”, morën pjesë 54 nga 59 delegatë sa ka gjithsej Kuvendi.
Numri një i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, i cili është anëtarë i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, është i deleguar nga UEFA si vëzhgues në Kuvendin e rregullt të Punës së FFK-së.
Buxheti i vitit 2018
Buxheti i FFK-së për vitin 2018 ka pasur vlerë mbi 11 milionë euro dhe gati 90% e këtyre të hyrave janë nga FIFA dhe UEFA, kurse pak mbi 10% nga të hyrat e FFK-së janë nga sponsorët, dënimet, anëtarësimet, sponsorimet dhe të drejtat televizive.
Pagat e përzgjedhësve dhe shpenzimet në paga e meditje për ekipet Kombëtare mbërrijnë mbi 2 milionë euro. Pjesa më e madhe shkon në ekipin kombëtar A.
Në Kuvendin e Punës së FFK-së, delegatët miratuan raportet financiare dhe ato të punës e të garave të FFK-së pa vërejtje.
Ndahet pagë për gruan e Fadil Vokrrit
Delegati i Trepçës’89, Abedin Zeka ka propozuar pagë për bashkëshorten e ish presidentit të FFK-së Fadil Vokrrit.
FFK miraton pension për bashkëshorten e Fadil Vokrrit, me propozim të Abedin Zekës, delegatit të Trepçës’89. Edhe kuvendi e miratoi kërkesën.
Vendimi u përkrahë nga të gjithë delegatët.
Superliga me 10 skuadra nga sezoni 2020/2021
Kuvendi i Punës i Federatës së Futbollit të Kosovës mori vendim që nga sezoni 2020/2021, Superliga të ketë vetëm 10 skuadra.
Një gjë e tillë erdhi për të rritur konkurrencën dhe cilësinë mes skuadrave garuese. Delegatët e kuvendit e votuan njëzëri këtë propozim.
Nga sistemi aktual, dy skuadra do të eliminohen për t’iu përshtatur sistemit të ri nga vjeshta e vitit 2020.
“Të gjitha regjionet dhe të gjitha klubet kanë pranuar që të bëhet Superliga me 10 ekipe”, ka deklaruar për mediat pas Kuvendit, Agim Ademi.
Agim Ademi: I lumtur që gjithçka shkoi mirë
Edhe pse ishte paralajmëruar se mund të ketë mocion për shkarkim të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Vetë Ademi ka thënë se është i lumtur që gjithçka shkoi mirë.
“Përkundër zhurmave jam i lumtur që gjithçka ka shkuar shumë mirë. Faleminderit të gjithë delegatët për përkrahjen”.
“Do të vazhdojmë me punën tonë me krenari. Puna që është bërë deri më tani u vlerësua nga të gjithë”, ka thënë ai.
Ka pasur edhe disa kërkesa nga klubet, por që do të shqyrtohen para nisjes së kampionatit të ardhshëm. /Telegrafi/