Telegrafi

Fetai në Gostivar: Do të përkrahim komunat që punojnë në luftën kundër korrupsionit

Zv.kryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai, sot ka qëndruar në Komunën e Gostvarit ku është takuar me u.d kryetarin e komunës, Valbon Limani.

Pas takimit Fetai tha se do të vizitojë të gjitha komunat për të parë nga afër planet e tyre për eliminimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ka dy vite kërkesë që insititucionet komunale kanë dorëzuar plane për detektimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, por për shkak të vullnetit politik, shkalla e përgjigjes është shumë e ulët. Pra pushteti i kaluar nuk ka bashkëpunuar me nivelin qendror për parandalimin e korrupsionit”.

“Prej qindrave insititucioneve qendore që kanë pasur për detyrë për eliminimin e korrupsionit, janë dorëzuar 41 kërkesa, prej tyre janë 10 komuna dhe mes tyre është Komuna e Gostivarit. Komuna e Gostivarit është shembull sa i përket qeverisjes së mirë, transparencës, respektimit të kornizës ligjore për qasje në dokumentet zyrtare”, tha Fetai.

Ai shtoi se ai si zv.kryeministër dhe Qeveria do të ndihmojnë komunat që luftojnë korrupsionin./Telegrafi/