Peja International Guitar Festival (Festivali ndërkombëtar i Kitarës në Pejë) sivjet vazhdon me edicionin e dytë.
Ky festival do të zhvillohet nga data 22-26 .06.2016 në Pejë në institucione kulturore të komunës së Pejës.
“Si vitin e kaluar Festivali përfshinë shumë aktivitete dhe ngjarje interesante, si koncerte, workshope masterklase dhe gara ndërkombëtare. Dita e parë e festivalit 22.06 i dedikohet legjendës së Kitarës nga Amerika Latine, kompozitorit dhe kitaristit nga Paraguaji, Agustin Barrios Mangoré. Workshopin do ta mbajë muzikologu Carlos Salcedo Centurión nga Paraguaji. Në mbrëmjen e parë, pra më 22 qershor mbahet koncerti inaugurues i festivalit me muzikë argjentinase nga duo Italian “Bandini – Chiachiaretta”, Bandenoisti Cesare Chiacchiaretta dhe Giampaolo Bandini që të dy kitaristë italianë”, thuhet në një njoftim.
Po sipas njoftimit, gjatë datës 23.06 do të zhvillohen garat ndërkombëtare për kitare klasike që mbajnë emrin “Ehat Musa“.
“Garat zhvillohen për të gjitha moshat duke i ndarë në kategori sipas moshës. Gjithsej janë regjistruar 47 garues në pesë kategori, kategoria e fundit është “No age limit” në dy etapa. Garuesit vijnë nga shtatë shtete ( Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni, Kroaci, Slloveni, Gjeorgji). Garuesit do të vlerësohen nga një juri profesionale dhe do të shpërblehen me çmime të ndryshme. Vlera totale e shpërblimeve është 4,000.00 €. Shpërblimet për fituesit do të ndahen në ditën e fundit të festivalit ku mbahet edhe koncerti përmbyllës i fituesve”, thuhet më tej në njoftim.
Gjatë festivalit, shtohet në njoftim, ҫdo mbrëmje do të ketë koncerte profesionale nga kitaristë eminent si: Gabriel Bianco Francë, Pavel Steidl nga Republika Ceke dhe Elogio guitar Trio Petrit Ҫeku, Tomislav Vuksic dhe Pedro Rodrigues, të gjithë nga Zagrebi (Kroaci).
“Në koncertin “matine” do të luaj fituesi i edicionit të parë të kategorisë së fundit Benjamin Causevis nga Kroacia”.
“Një risi në Festival do të jetë promovimi i CD-së më të re të Petrit Ҫekut me veprat e J.S.Bach – suitat për violonҫele solo të përpunuara nga Valter Despalj – Kroaci . Pjesëmarrës tjerë janë edhe kitaristë e pedagogë të njohur Europian të cilët do të jenë anëtarë jurie dhe do të angazhohen me master klase si: Ehat Musa, Stefan Schmidt (Gjermani), Marko Feri (itali), Anton Crnugelj (Slloveni), Darko Bageski ( Maqedoni), Elvis Bytyqi (Kosovë). Për të ndjekur master klasët janë regjistruar mbi 60 studentë. Të enjten në orën 22:30 pas përfundimit të koncertit të kitarës do të mbahet edhe një “after Party” ku do të realizohet një Jazz koncert nga Gelo Armend band ku do të marrin pjesë Ante Gelo kitarist nga Kroacia Armend Xhaferi kitarist nga Kosova”.
Ky Festival organizohet nga Shoqata e Kitaristëve të Kosovës, ka mbështetjen financiare nga komuna e Pejës, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe organizata ndërkombëtare për kulturë “Culture for All”. Poashtu festivali ka gjetur përkrahje nga biznese të ndryshme private që veprojnë në Kosovë. /Telegrafi/