Me një minutë heshtje viktimave të përmbytjeve të ditëve të fundit në rajonin e Shkupit, festivali i 25 jubilar “Këngë Jeho”, u përmbyll në natën e tretë e cila po ashtu nuk u mbajt në shenjë respekti për viktimat e përmbytjeve, njofton INA, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Ky homazh i festivalit,- për pjesëmarrësit e natës së tretë, anëtarët e ShKA “Shqiponja” nga Saraji i Shkupit dhe të Ansamblit Kombëtar “Shota” nga Prishtina, mbase ishte paraqitja më e mirë për të shprehë ndjenjat njerëzore ndaj viktimave, familjeve të goditura dhe mbarë popullatës së goditur.
Në skenën e festivalit ishin ngjitur anëtarët e ansambleve, të shoqëruar nga drejtori i festivalit Dilaver Lloga me stafin bashkëpunues, regjisori Dilaver Kryeziu, dhe kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, të përcjellë nga një numër i konsideruar i qytetarëve, kur drejtori i festivalit Dilaver Lloga iu drejtua të pranishmëve edhe para kamerave televizive me fjalën e rastit duke thënë:
“Të nderuar pjesëmarrës, spektator dhe telespektator; Shprehim ngushëllime familjeve të viktimave të përmbytjeve, dhe në këto rrethana çmojmë se nuk ka kuptim që vetëm pak kilometra larg kësaj tragjedie të këndohet e vallëzohet, ndaj me këtë paraqitje simbolike dhe me këtë homazh nga skena e festivalit, e shpallë të mbyllur festivalin “Këngë Jeho-2016”.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, para të pranishmëve, në përmbyllje të natës së tretë dhe të festivalit, ka theksuar se “Kam vizituar rajonet e goditura dhe gjendja është tepër e vështirë. Shprehim ngushëllimet tona familjeve të viktimave dhe solidarizohemi me popullatën e goditur në këto rajone”./Telegrafi/