Telegrafi

Festa e Halloween në Prishtinë – autobusit urban iu thyen xhamat dhe u “sulmua” me ve

Festa e Halloween apo siç njihet ndryshe si “Nata e Shtrigave”, edhe këtë vit u festua dhunshëm në Prishtinë.

Si në të kaluarën, edhe këtë vit autobusët urbanë nuk i shpëtuan sulmeve me ve. Madje, njërit prej tyre iu thyen edhe xhamat.

Lidhur me rastin, Telegrafi ka kontaktuar me Trafikun Urban në Prishtinë, të cilët kanë njoftuar se dëmet materiale kapin vlerën e një mijë eurove.

“Lidhur me rastin jemi të informuar. Rasti ka ndodhur në Bardhosh, linja 3 dhe dëmet materiale kapin vlerën e një mijë eurove”, ka deklaruar Medina Rukovci, zyrtare për informim.

Si ndërmarrje publike ka thënë se janë të shqetësuar pasi çdo vit shkaktohen dëme materiale nga “fëmijë të papërgjegjshëm”.

“Këta autobus janë në shërbim për të gjithë qytetarët, andaj lusim prindërit të përkujdesen që fëmijët e tyre ta ruajnë pronën publike. Të tregohemi qytetarë të përgjegjshëm me kulturë urbane!”, ka përfunduar ajo.

Telegrafi ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës, por të njëjtit kanë thënë se nuk kanë informacion për rastin. /Telegrafi/

Foto: Ju flet Prishtina/Facebook
Foto: Ju flet Prishtina/Facebook
Foto: Ju flet Prishtina/Facebook