Në Pojan të Fierit, “Festa e Grurit” është kthyer në traditë. Pojani, një nga 100 fshatrat turistike shqiptare, u kthye në qendër të festimeve për Festën e Grurit e cila tashmë është kthyer në traditë.
Dita e Grurit, mblodhi bashkë me qindra banorë të zonës, ndërsa merrnin pjesë edhe Presidenti Bajram Begaj, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj si dhe kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi.
”Në Festën e grurit, bukës së re, produktet “Made in Albania”, janë tashmë zgjedhja e parë e konsumatorëve dhe turistëve”, u shpreh Denaj.
Denaj theksoi se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është e angazhuar të mbështesë fermerët dhe njësitë agropërpunuese përmes politikave të prodhimit, agropërpunimit dhe Skemës Kombëtare të Naftës, ku gjatë këtij viti 1/3 e fermerëve që kultivojnë grurë kanë aplikuar për naftë falas.
“Festa e grurit” është një prej festave më të bukura tradicionale që organizohet në fshatin Pojan, që përkon me një nga punët më të rëndësishme bujqësore, korrjen dhe shirjen e grurit.
Ky manifestim unik kombinoi në mënyrë perfekte traditën e prodhimit të grurit, prodhimet vendase, manifestimin e mekanikës bujqësore, folklorin, këngët, vallet dhe veshjet tradicionale, trashëgiminë kulturore, trashëgiminë kulinare. /Telegrafi/