Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka reaguar pas rastit në Pejë, ku u lanë anash disa nxënës nga komuniteti rom, ashakali e egjiptas.
Nagavci në një postim në Facebook shkruan se si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, të cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të jetës.
“Si ministre e MASHTI shpreh shqetësimin e thellë për rastin e raportuar në medie si diskriminues për pjesëmarrjen e nxënësve nga komunitetet: rom, ashkalinj dhe egjiptas në aktivitetin e sotëm të Festës së Abetares, në Pejë!
Këtë rast që bie ndesh me organizimin gjithëpërfshirës, do ta shqyrtojmë me prioritet që nesër, me DKA-në e Pejës”, shkruan Nagavci.
Sipas saj, parimi i mosdiskriminimit është pjesë e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi, prandaj duhet respektuar dhe zbatuar në të gjitha nivelet.
“Si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, të cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të jetës!”, shtoi ajo. /Telegrafi/