Fabrika më e madhe në Drenicë “Ferronikeli” e cila është privatizuar pas luftës nga nesër do të ndërpresë prodhimin e saj.
Në një komunikatë dërguar mediave nga kjo kompani sqarohet edhe arsyeja e ndërprerjes së prodhimit, siç thuhet për shkak të sigurisë.
“NewCo Ferronikeli Complex, anëtar i grupit të kompanive Cunico Resources NV, njofton se do të ndërmarrë një ndërprerje të pa planifikuar dhe të menjëhershme të prodhimit në fabrikën e saj në Drenas, duke filluar nga 1 prilli. Kjo për shkak të problemeve teknike të zbuluara kohëve të fundit me pajisje të caktuara në fabrikë, të cilat kanosin sigurinë në fabrikë, krijojnë rrezikun që të shkaktohet dëm i pariparueshëm i pajisjeve dhe, kështu, detyron vendosjen e menjëhershme të fabrikës në gjendje për riparim, si dhe rënies së vazhdueshme të çmimit të nikelit në tregun e metaleve, e cila po shkakton humbje të konsiderueshme për grupin”, thuhet në njoftim.
Në komunikatë thuhet se në fabrikë do të implementohet Plani i Mirëmbajtje s dhe Kujdesit (“CAMP”). CAMP do të përfshijë rinovimin e furrës rrotulluese dhe furrës elektrike në linjën 1, si dhe pajisjeve të tjera mirëmbajtëse.
“Procesi është i planifikuar të zgjasë përafërsisht 90 ditë. Menaxhmenti i NewCo Ferronikelit beson se, pas përfundimit të suksesshëm të “CAMP”, prodhimi do të rifillojë atëherë kur nuk do të ketë probleme teknike të papritura dhe kur kushtet e tregut do të jenë të përshtatshme”, thuhet në njoftim.
“Grupi Cunico Resources u janë mirënjohës të gjitha palëve të përfshira në Republikën e Kosovës për mbështetjen e dhënë gjatë dekadës së fundit. Të gjithë punëtorët, bankat, furnizuesit, klientët dhe Qeveria, së bashku me aksionarët e Cunico Resources, e kanë bërë kompaninë NewCo Ferronikeli kampion të vërtetë të investimeve të huaja në Republikën e Kosovës që nga viti 2006. Cunico Resources janë të përkushtuar që NewCo Ferronikeli të ketë qëndrueshmëri për një të ardhme afatgjatë dhe dëshiron t’i sigurojë të gjitha palët e përfshira që do të punojnë në mbrojtjen e interesave të tyre në kushtet e tanishme të tregut”, thuhet në njoftimin e NewCo Ferronikeli. /Telegrafi/