Telegrafi

Ferrari që kushton €3m shitet ende pa u prodhuar

Një nga modelet që bëri bujë vitin e kaluar në panairin Geneva Motor Show ishte Ferrari me konceptin Pininfarina Sergio, veturë e cilësuar si e “egër” që kishte formën e 458 Spider.

Vetura ishte prodhuar për të nderuar njërin nga pjesëtarët legjendarë të kompanisë italiane dhe ia dolën që të krijonin një koncept të jashtëzakonshëm sportiv.

Tani është konfirmuar se Ferrari do të prodhojë vetëm gjashtë shembuj të Sergios, të cilat tashmë janë shitur me porosi. Kanë qenë gjashtë blerësit besnikë të Ferrarit, që janë ftuar nga kompania italiane nëse duan ta blejnë këtë koncept, transmeton Koha.net.

Shpërndarja e tyre do të bëhet vitin e ardhshëm në Amerikë, Evropë dhe Azi. Ende nuk është e qartë se sa do të kushtojnë veturat, por drejtori gjeneral i Pininfarinas, Silvio Angori, vitin e kaluar kishte thënë se një model do të kushtojë rreth tre milionë euro.

I bazuar në Ferrari 458 Spider, Sergio përfiton nga motori 4.5 l V-8 me kapacitet prej 458 kalëfuqi me 400 rrotullime. Sidoqoftë, me vetëm 2.822 kilogramë, Sergio peshon 330 kilogramë më pak sesa 458 Spider.

Pininfarina shpejtësinë prej 100 kilometrave në orë e arrin për më pak se 3.4 sekonda. Shpejtësia maksimale e tij është 300 km/h. /Telegrafi/