Burimi bën të ditur se do të quhet 812 Monza, me dizajn të një prej veturave të Ferrarit, më të suksesshme në gara
Postimi misterioz që ka bërë Ferrari, lë të kuptohet se më 17 shtator do të bëjë një prezantim zyrtar, transmeton Telegrafi.
Nuk ka të dhëna zyrtare, por Motor1 bën të ditur se njoftimi është bërë në një seksion të veçantë të ueb-faqes dedikuar vetëm për pronarët e makinave Ferrari. “Icona Ferrari” është i vetmi shënim në mes të imazhit, poshtë së cilit shkruan data dhe Maranello, vendlindja e makinës italiane Ferrari.
Njoftimi i ka mjaftuar Motor1, që të spekulojë se kjo do të jetë data dhe hapësira, ku do të prezantohet Ferrari 812 Superfast, që do ta mbajë emrin 812 Monza.
Sikur edicioni i limituar J50, që u krijuar për të shënuar 50 vjetorin e Ferrarit në Japoni, nëpërmjet një 488 Spyder edhe ky model pritet të jetë i veçantë.
Dukje e jashtme pritet t’i ngjajë njërës prej veturave më të mira të Ferrarit, që kanë dalë fituese nëpër gara. Mund të jetë edhe Ferrari 250 Testa Rossa e vitit 1957, por i modernizuar dhe me shumë përparësi teknologjike. /Telegrafi/