Feronikeli e ka mposhtur Arbërinë me rezultat 1-0 në kuadër të javës së 13-të në Superligën e Kosovës.
Ishin mysafirët ata që e filluan takimin më mirë duke rrezikuar me anë të Almir Kryeziut në minutën e 12-të që gjuajti nga distanca, por goditja e tij nuk ishte sakët.
Kryeziu (17’) kishte sërish një shans të mirë, dhe u mendua se do shënonte, mirëpo Lapidar Lladrovci bëri ndërhyrjen vendimtare për të dëbuar topin në fundore.
Më pas Feronikeli mori iniciativën dhe kishte disa shanse të mira me anë ë Albert Dabiqajt dhe Jean Cariocas.
Por, momenti vendimtar doli të ishte ai i minutës së 43-të, ku Dabiqaj gjuajti brenda zonës dhe shënoi një gol të bukur.
Në pjesën e dytë Nikli kishte disa shanse të mira, mirëpo nuk arriti t’i konkretizonte ato.
Arbëria tentoi deri në frymën e fundit që të merrte së paku një pikë nga ky takim, mirëpo e kishte të pamundur.
Pas javës së 13-të, Feronikeli është ngjitur në pozitën e gjashtë me 15 pikë, derisa Arbëria është në të shtatin me një më pak. /Telegrafi/