Feronikeli do të jetë mysafir i Prishtinës në kuadër të javës së 21-të në IPKO Superligën e Kosovës.
Klubi nga Drenasi është lider në Superligë me pesë pikë më shumë se Prishtina.
Kapiteni Lapidar Lladrovci, beson se fitorja do t’ia lehtësonte punën skuadrës së tij drejt titullit kampion.
“Ndeshja me Prishtinën është njëra nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit për ne, ngase luajmë me rivalin direkt për titull. Një fitore eventuale do të na shkëpuste me tetë pikë në krye të tabelës, ndërsa edhe barazimi nuk do të ishte i keq, pasi do na mbante pesë pikë para”.
“Megjithatë ka edhe shumë ndeshje për t’u luajtur, andaj edhe kjo ndeshje ka rëndësinë si ajo me KEK-un, pra luhet për 3 pikë”, ka thënë kapitemi Lapidar Lladrovci.
Ai beson që do të jetë ndeshje e bukur pasi zhvillohet në një stadium të mirë si ai ‘Fadil Vokrri’.
“Do të jetë një ndeshje e bukur, pasi kushtet në stadiumin “Fadil Vokrri”, janë fantastike ku terreni do të na lejojë të tregojmë gjithë potencialin tonë”.
“Besoj se të gjithë tifozët do të kënaqen me lojën që do të tregojmë, jemi shumë të motivuar dhe mezi e presim fillimin e ndeshjes”, ka deklaruar Lladrovci. /Telegrafi/