Kampioni në fuqi i Kosovës, Feronikeli ka arritur një fitore tejet të vlefshme në kuadër të xhiros së 16-të.
‘Nikli’, u përball me rivalin lokal Drenicës ku e mposhti me rezultat minimal 1-0.
Pjesa e parë përfundoi ashtu siç filloi pa gola edhe pse të dyja skuadrat kishin raste të mira shënimi.
Në njërën anë portieri Deniz Troshupa për vendasit dhe në anën tjetër Ymeri ishin në formë të lartë duke pritur disa goditje të fuqishme.
Me të filluar pjesa e dytë, dy skuadrat nisën të kërkonin golin e epërsisë.
Goli për vendasit erdhi në minutën e 59-të të ndeshjes pas një aksioni të mirë.
Ishte sulmuesi gjakovar i Feronikelit, Mevlan Zeka ai që shënoi për 1-0.
Goli i Zekës ishte i vetmi në këtë takim që kishte vlerën e tri pikëve për Feronikelin.
Pas kësaj fitore Feronikeli ngjitët në pozitën e tretë me 32 pikë të tubuara pas 16 javëve.
Ndërkohë Drenica mbetët në pozitën e tetë në tabelë me 18 pikë. /Telegrafi/