Feronikeli ka arritur të shënojë fitore të thellë përballë Trepçës ’89 me rezultat 5-0.
Që nga fillimi i ndeshjes vendasit ishin më të mirë në fushë duke sulmuar vazhdimisht portën e mysafirëve.
Goli i parë në këtë takim erdhi në minutën e 29-të, kur mbrojtësi mysafir Bujar Pllana realizoi autogol për 1-0.
Mysafirët u munduan ta barazonin rezultatin por një gjë të tillë nuk ia arritën dhe 45 minutat e para përfunduan me epërsinë e Niklit 1-0.
Vetëm dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë Nikli shënoi golin e dytë në këtë sfidë kur pas një aksioni fantastik realizoi Mendurim Hoti për 2-0.
Mesfushori brazilian Jean Da Silva u përkujdes në minutën e 53-të për ta trefishuar epërsinë pas asistimit nga Yll Hoxha.
Tetë minuta më vonë braziliani Da Silva realizoi edhe golin e dytë personal kur pas një depërtimi individual realizoi për 4-0.
Në minutën e 85-të, golashënuesi më i mirë në Ipko Superligë, Kastriot Rexha shënoi për ta ngritur epërsinë në 5-0.
Feronikeli me këtë fitore vazhdon të dominojë kampionatin dhe është në pozitën e parë në tabelë me 55 pikë të tubuara.
Në anën tjetër Trepça ’89 ndodhet në pozitën e tetë në tabelë me 28 pikë dhe rrezikon të mbetet në barazh. /Telegrafi/