Site icon Telegrafi

Feronikeli nuk di për humbje, fiton ndeshjen e pestë radhazi pasi mposhti Lirinë

Feronikeli ka fituar ndaj Lirisë me rezultat 4-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e shtatë të Ipko Superligës së Kosovës në futboll.

Skuadra nga Drenasi ka hyrë në një seri të mirë duke arritur t’i koleksionojë pesë fitore radhazi në kampionat dhe kësaj radhe viktimë ishte Liria.

Pjesa e parë e ndeshjes nisi me një gol të shpejt të vendasve, të cilët në minutën e tetë shënuan nga penalltia për 1-0 me anë të Astrit Fazliut.

Feronikeli gjeti shpejt edhe golin e dytë, pasi në minutën e 30-të ishte Lapidar Lladrovci, i cili realizoi me kokë pas harkimit të Yll Hoxhës për ta ngritur epërsinë 2-0.

Liria arriti të kthehet në lojë në minutën e 43-të me anë të Qëndrim Gashit, i cili shënoi nga penalltia për 2-1 dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Zekirja Ramadani arriti të dominojë përsëri duke shënuar edhe dy gola, ndërsa Liria po ashtu shënoi një.

Luhej minuta e 57-të e ndeshjes kur Mevlan Zeka kaloi portierin dhe shënoi për 3-1, ndërsa Mendurim Hoti (67′) shënoi me kokë për 4-1.

Në minutën e 79-të ishte Gentian Binishi që shënoi një supergol për 4-2 dhe me këtë rezultat u mbyll takimi.

Pas kësaj fitore, Nikli gjendet në pozitën e parë me 17 pikë, ndërsa Liria renditet e nënta me gjashtë pikë. Në ndeshjen e radhës drenicasit udhëtojnë te Llapi, ndërsa prizrenasit e presin Prishtinën. /Telegrafi/  

Exit mobile version