Feronikeli ka shënuar fitore të madhe në udhëtim te Trepçka 89 me rezultat minimal 1-0.
Shumë shikues ishin mbledhur për të përcjellë ekipin në serinë e pamposhtshmërisë prej tetë ndeshjeve që kishte Trepça 89.
Megjithatë, Feronikeli filloi më mirë takimin, kur Astrit Fazliu për pak sa nuk qëllo portën nga distanca.
Gavazaj menjëherë me një gjuajtje me kokë rrezikoi duke treguar synimin e Feronikelit në këtë takim.
Deri në fund të pjesës së parë Trepça pati rastin më të mirë kur Ardian Muja (45+1’) përballë portierit Florian Smakiqi nuk arriti të konkretizonte për golin e epërsisë.
Në pjesën e dytë Feronikeli vazhdoi me sulme të mëdha, derisa edhe gjeti golin me anë të Arbër Prekazit i cili bukur në zonë ka goditur me precizitet të lartë për të shënuar për epërsinë e mysafirëve (60’).
Në minutën e 72-të ishte Trepça 89′ që gjeti barazimin, por goli u anulua pasi gjyqtari Tefik Maloku sinjalizoi për pozitë jashtë loje. Vendim kontravers ky që nxiti reagimin e tifozëve vendas.
Dy minuta para fundit Përparim Islami u përjashtua nga loja duke lënë mysafirët me një lojtar më pak në teren.
Deri në fund megjithatë nuk pati ndryshime dhe Feronikeli shënoi fitore të madhë në Mitrovicë.
Kështu Feronikeli mban lidershipin në fillim të fazës së dytë të Superligës duke patur dy pikë më shumë se sa Prishtina që më 7 nëntor udhëton në Drenas për derbin e madh ku luftohet për pozitën e parë. /Telegrafi/