Telegrafi

Feronikeli largon nga klubi dyshen, Albert Bunjaku dhe Agim Sopi

Klubi nga Drenasi ka bërë një njoftim të fundit për media, ku konfirmon disa ndryshime në krye të klubit.

‘Industrialistët’ u mposhtën sot (e shtunë) me rezultat 2-1 në udhëtim te Llapi në ndeshjen e javës së 19-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.

Kjo humbje e Niklit vjen pas barazimit befasues në takimin e parë të sezonit pranveror ndaj Ferizajt dhe kjo nuk i ka pëlqyer aspak drejtuesve të klubit.

Lexo po ashtu Llapi shënon fitoren e parë në pranverë, Ymeraj dhe Nava heronj të llapjanëve

Pas ndeshjes me Llapin, drejtuesit e Feronikelit kanë njoftuar se kanë ndarë rrugët me këshilltarin e presidentit, Albert Bunjaku dhe trajnerin Agim Sopi.

Njoftimi pa ndërhyrje i Feronikelit:

Pas ndeshjes së sotme, drejtues të KF Feronikelit kanë mbajtur takim me këshilltarin e presidentit z. Albert Bunjaku dhe trajnerin e klubit të Feronikelit, z. Agim Sopi.

Me një marrëveshje të dyanshme dhe pas një takimi krejtësisht miqësor, u vendos që të ndahen rrugët mes dyshes Bunjaku dhe Sopi, me klubin e Feronikelit.

Klubi i futbollit Feronikeli, i uron shumë suksese z. Bunjakut dhe z. Sopi në hapat e tyre të mëtutjeshëm dhe i falënderon për korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar gjatë kohës sa ishin në klub.

Për detaje të reja, do të njoftojmë me kohë opinionin.

/Telegrafi/