Klubi nga Drenasi ka bërë një njoftim të fundit për media, ku konfirmon disa ndryshime në krye të klubit.
‘Industrialistët’ u mposhtën sot (e shtunë) me rezultat 2-1 në udhëtim te Llapi në ndeshjen e javës së 19-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.
Kjo humbje e Niklit vjen pas barazimit befasues në takimin e parë të sezonit pranveror ndaj Ferizajt dhe kjo nuk i ka pëlqyer aspak drejtuesve të klubit.
Pas ndeshjes me Llapin, drejtuesit e Feronikelit kanë njoftuar se kanë ndarë rrugët me këshilltarin e presidentit, Albert Bunjaku dhe trajnerin Agim Sopi.
Njoftimi pa ndërhyrje i Feronikelit:
Pas ndeshjes së sotme, drejtues të KF Feronikelit kanë mbajtur takim me këshilltarin e presidentit z. Albert Bunjaku dhe trajnerin e klubit të Feronikelit, z. Agim Sopi.
Me një marrëveshje të dyanshme dhe pas një takimi krejtësisht miqësor, u vendos që të ndahen rrugët mes dyshes Bunjaku dhe Sopi, me klubin e Feronikelit.
Klubi i futbollit Feronikeli, i uron shumë suksese z. Bunjakut dhe z. Sopi në hapat e tyre të mëtutjeshëm dhe i falënderon për korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar gjatë kohës sa ishin në klub.
Për detaje të reja, do të njoftojmë me kohë opinionin.
/Telegrafi/