Telegrafi

Feronikeli fiton pa problem ndaj Kek-ut, Kastriot Rexha realizon het-trik me penallti

Ashtu edhe siç pritej, Feronikeli fitoi në udhëtim te Kek-u me rezultat 0-4 në kuadër të xhiros së 28-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Mysafirët ishin dukshëm më të mirë dhe ishte një fitore e lehtë për ekipin nga Drenasi.

Ndeshja filloi me disa raste nga Feronikeli, ndërsa goli i parë erdhi nga Jean Carioca Da Silva në minutën e 27-të pas asistimit te Kastriot Rexhës. Ishte pastaj Rexha ai që shënoi dy herë në pjesën e parë (30′, 45+1′) nga pika e bardhë dhe me rezultatin 0-3 përfunduan 45 minutat e parë.

Kek-u tentoi golin në fillim të pjesës së dytë, por nuk e arritën. Kastroiot Rexha kompletoi het-trikun në minutën e 79-të, edhe ky gol erdhi nga penalltia.

Pas kësaj fitore Feronikeli ngjitet në pozitën e parë me 65 pikë, aq sa Prishtina. Ndërsa Kek-u vazhdon i fundit në tabelë me një pikë.

Ndeshja e ardhshme e skuadrës nga Drenasi është ndaj Gjilanit, kurse Kek-u do të jetë mysafirë i Flamurtarit. /Telegrafi/