Feronikeli ka fituar në Mitrovicë ndaj Trepçës me rezultat 3-1.
Kampioni aktual i Kosovës ka shënuar një fitore të madhe në udhëtim te Trepça, fitore kjo që ngrit motivin e lojtarëve pas barazimit në shtëpi ndaj Dritës.
Skuadra e trajnerit Afrim Toverlani ishte gjatë tërë ndeshjes më e mirë se vendasit nga Mitrovica, të cilët vetëm për një moment rrezikuan fitoren e mysafirëve.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 33 të ndeshjes, ku sulmuesi afrikan Adu Razard Kamara shënoi për 1-0 pas asistimit të Mark Milicajt dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushimin mes dy pjesëve.
Në pjesën e dytë, skuadra nga Drenasi arritën të shënojnë përsëri të parët, me Kamaran, i cili shënoi në minutën e 61 golin e tij të dytë në këtë ndeshje pas asistimit të Yll Hoxhës.
Trepça arriti të kthehet në lojë në minutën e 74 kur Pleurat Hajdini asistoi mirë për Enis Zaberxhën që shënoi për 2-1.
Por, vetëm katër minuta më vonë, Feronikeli arriti përsëri të ngrit epërsinë, ku kësaj radhe ishte sulmuesi Labinot Osmani që shënoi nga afërsia për 3-1 pas asistimit të Mentor Zhdrellës dhe vulosi rezultati përfundimtar dhe fitoren e mysafirëve.
Pas kësaj fitore, Feronikeli ka 55 pikë apo vetëm katër më pak se lideri, Trepça ’89. /Telegrafi/