Site icon Telegrafi

Feronikeli fiton në frymën e fundit ndaj Ballkanit

Feronikeli ka arritur të fitojë në fund me rezultat 1-0 ndaj Ballkanit onë ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.

Rasti i parë i ndeshjes i takoi Feronikelit me Astriut Fazliun (2′) që nuk realizoi nga një pozitë e mirë, ndërsa Kastriot Rexha (9′) shënoi për 1-0, por goli i tij u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Ferokeli në këtë pjesë rrezikoi edhe me anë të Lapidar Lladrovcit (30′), goditja e të cilit shkoi jashtë portës, teksa goditja e Rexhës (31′) shkoi në duart e portierit.

Për Ballkanin rastet më të mira i patën Jetmir Topalli (25′) dhe Besnik Krasniqi (45′), por dy goditjet e asnjërin nuk tundën rrjetën.

Pjesa e dytë ishte po ashtu e barabartë, ku të parët rrezikuan me anë të Mendurim Hotit (53′), por goditja e fortë e tij u prit nga portieri.

Mysafirët u kundërpërgjigjen me rastet e Krasniqit (68′) dhe Topallit (76′), por goditjet e tyre nuk gjetën cakun.

Kur pritej që ndeshja të përfundonte në skenë del sulmuesi Artur Magani (90+), i cili shënon për 1-0 dhe ia siguron fitoren e parë në kampionat skuadrës së tij.

Pas kësaj fitore, Nikli e sheh veten në pozitën e tretë me pesë pikë, ndërsa në ndeshjen e javës së katërt udhëton te Ferizaj. Ballkani renditet në pozitën e nëntë me tri pikë, ndërsa ndeshjen e ardhshme e pret në shtëpi Prishtinën. /Telegrafi/

Exit mobile version