Feronikeli ka fituar në udhëtim te Liria e Prizrenit me rezultat të thellë 4-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të të Ipko Superligës së Kosovës.
Klubi nga Drenasi ka vazhduar serinë pozitive duke marrë një fitore shumë të vlefshme në udhëtimin e saj në Prizren.
Pjesa e parë nisi më mirë për vendasit, të cilët patën rast ideal në minutën e dytë, por goditja e Fitim Susurit u ndal nga shtylla.
Pas këtij rasti, lojën në dorë e morën mysafirët, të cilët në minutën e nëntë arritën të gjejnë golin e epërsinë 1-0 me anë të Kastriot Rexhës.
Feronikeli vazhdoi me raste tjera, por golin e 2-0 e gjete vetëm në minutën e 36-të dhe ishte sërish Rexha, i cili shënoi prapë nga asistimi i Astrit Fazliut.
Pjesa e dytë ishte më e barabartë nga të dyja skuadrat, por ishin përsëri vetëm mysafirët të cilët shënuan edhe kësaj radhe dy gola.
Ishte sulmuesi i inkuadruar në pjesën e dytë Mevlan Zeka (70′) që shënoi me kokë për 3-0, ndërsa rezultatin përfundimtar 4-0 u vulos nga Albert Dabiqaj (90+).
Pas kësaj fitore, Nikli ka 62 pikë në vendin e parë apo tri më shumë se Prishtina e dyta, ndërsa Liria renditet e 11-ta me 24 pikë. Në ndeshjen e radhës prizrenasit udhëtojnë te Flamurtari, ndërsa drenicasit e presin Ferizajn. /Telegrafi/