Telegrafi

Feronikeli kthehet te fitorja dhe vazhdon të ëndërrojë për titullin

Feronikeli është rikthyer te fitorja, teksa para tifozëve të vet ka mposhtur skuadrën e fundit në tabelë Dukagjinin e Klinës me rezultat 4-2.

Feronikeli e nisi për mrekulli ndeshjen kur vetëm pas dy minutash lojë gjetën golin e epërsisë.

Ishte sulmuesi anësorë Haxhi Neziraj që u gjend mirë në zonë dhe me një goditje të saktë shënoi për 1-0.

Feronikeli shtoi sulmet edhe përkundër epërsisë, ndërsa rrezikuan me Da Silvan e Zekën, por Muhaxhiri i mysafirëve ishte në vend.

Në minutën e 22-të kampioni në fuqi shënoi golin e dytë ku kësaj radhe realizues ishte mesfushori defensivë Albert Dabiqaj që shënoi nga distanca.

Por pesë minuta më vonë Jeton Dushi i mysafirëve shënoi një gol nga distanca për të ngushtuar epërsinë në 2-1.

Skuadra e fundit në tabelë barazoi gjithçka në minutën e 33-të me anë të Mark Milicajt që shënoi nga penalltia.

Nikli ka mundur ta rikthejë epërsinë në pjesën e parë, por goditja e Nezirajt u largua nga vija fatale.

Kësisoj pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë 2-2.

Me të filluar pjesa e dytë, kampioni në fuqi i Kosovës shënoi golin e tretë në këtë takim me realizues Mevlan Zekën që shënoi me kokë.

Krejt në fundin e ndeshjes, Da Silva shënoi për rezultatin përfundimtar 4-2.

Kësisoj Feronikeli tani ndodhet në pozitën e pestë në tabelë me 27 pikë, shtatë më pak se lideri Ballkani.

Në anën tjetër Dukagjini e përfundon stinorin vjeshtor me tetë pikë pas 17 ndeshjeve. /Telegrafi/