Telegrafi

Feronikeli dhe Trepça ’89 ndahen në paqe në ndeshjen hapëse të sezonit të ri në Superligën e Kosovës

Feronkeli dhe Trepça ’89 kanë barazuar me rezultat 1-1 në ndeshjen e javës së parë të Ipko Superligës së Kosovës në futboll.

Ndeshja e parë e sezonit të ri në kampionatin elitar kosovar ka përfunduar me barazim në stadiumin “Rexhep Rexhepi”.

Fillimi i lojës it takoi vendasve, të cilët rrezikuan disa herë, por që pa arritur ta gjejnë rrugën e rrjetës.

Megjithatë, goli nuk vonoi dhe në minutën e 17-të ishte Mendurim Hoti, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Arbër Prekazit.

Deri në fund të pjesës së parë, Feronikeli vazhdoi me dominim dhe raste duke tentuar me anë të Astrit Fazliut (21′), goditja e të cilit shkoi mbi portë dhe me Kastriot Rexhën (36′) që shënoi, por goli iu anulua për pozitë jashtë loje.

Në pjesën e dytë, ishin mysafirët nga Mitrovica, të cilët lanë shenj të parët duke arritur të barazojnë me anë të Gëzim Rusit (55′), i cili shënoi gol të bukur për 1-1.

Pas këtij goli, të dyja skuadrat ishin më të vëmendshme dhe luanin sigurt, por edhe përkundër rasteve të krijuara asnjëra nuk arriti të gjej golin e fitores.

Kështu, pas 90 minutave lojë, Feronikeli dhe Trepça ’89 luajnë baras 1-1 dhe ndajnë nga një pikë në ndeshjen e parë të sezonit të ri të Superligës së Kosovës. /Telegrafi/