Telegrafi

Feronikeli dhe Drita ndajnë pikët në Drenas

Foto: Dritafc.com

Feronikeli dhe Drita i kanë ndarë pikët në kuadër të javës së 15-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Takimi që u zhvillua në Drenas ka përfunduar pa gola edhe pse të dyja skuadrat kishin disa shanse të mira për shënim.

Kampioni në fuqi e kishte shansin që të kalonte në epërsi qysh në minutën e 5-të, mirëpo Mendurim Hoti nuk arriti ta mposhtë nga afërsia Tofilskin, derisa topi iu kthye Kastriot Rexhës që dështoi edhe ky.

Vendasit kishin një dominim të lehtë në pjesën e parë edhe pse Drita rrezikoi me anë të Lecit që goditi pjesën e jashtme të portës.

Gjilanasit ishin më të mirë në 45 minutëshin e dytë, duke rrezikuar me anë të Hamdi Namanit dhe Xhevdet Shabanit, por goditje e tyre i priti Smakiqi.

Ndeshja përfundoi me nga një pikë për të dy skuadrat, derisa Feronikeli renditet në pozitën e gjashtë me 23 pikë, në anën tjetër Drita në të tretin me 28 sosh. /Telegrafi/