Telegrafi

Feronikeli arkëton pikë të plota si nikoqir i Trepçës ’89

(Fotoarkiv: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Feronikeli ka arkëtuar pikë të plota në fitoren (3-0) ndaj Trepçës ’89 që u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, e vlefshme për javën e 20-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadra nikoqire luajti më mirë në fraksionin e parë të lojës, në të cilin nuk u shënuan gola.

Në këtë pjesë, mysafirët mbetën me një lojtar më pak në fushë, duke qenë se Lassine Traore u përjashtua direkt me karton të kuq.

Rezultati u zhbllokua pesë minuta brenda gjysmës së dytë. Portieri Ardit Hyseni nuk arriti ta ndalte goditjen e Mendurim Hotit (50’).

Në mbyllje të takimit, nikoqirët e shënuan edhe dy gola të shpejtë, autor të të cilëve ishin Mevlan Zeka (90’+2) dhe Albert Dabiqaj (90’+4).

Kjo është fitorja e nëntë e Feronikelit këtë sezon, ndërsa numëron edhe katër barazime dhe shtatë humbje, ashtu që ka arkëtuar 31 pikë (nëntë më pak se lideri Drita).

Për Trepçën ’89 ishte humbja e tetë këtë edicion, ndërsa ka arritur edhe shtatë fitore dhe pesë barazime, dhe numëron 26 pikë. /Telegrafi/