Telegrafi

Feronikeli ’74 prezanton edhe dy lojtarë, për Shefki Kuqin do të ketë edhe prurje tjera

Feronikeli 74 ka vazhduar me përforcimin e skuadrës, duke prezantuar sot sulmuesin anësor Armend Gashi dhe mbrojtësin David Gjinollari.

Pas prezantimit të Hasan Hysenit, Davide Bonsellinit, Stivian Jankut, Nikolaos Ionnidis dhe Vasileios Karagounis, klubi nga Drenasi që udhëhiqet nga Shefki Kuqi, ka vazhduar me përforcime.

Feronikeli 74 siguroi elitën vetë pas ndeshjes së barazhit, pasi mposhti Prishtinën e Re.

“Gashi vjen tek Feronikeli nga Trepça ’89, ndërsa më parë ai ishte edhe pjesë e FC Prishtinës. 23 vjeçari ishte edhe pjesë e grupmoshave të reja të Kombëtares së Kosovës. Sulmuesi i krahut është vlerë e shtuar në ekip dhe tek Feronikeli do te jetë së paku për dy edicionet e radhës. Gashi njihet për shpejtësinë e tij, driblimet dhe lojën e bukur me top. Aftësi keto qe do te jene ne dispozicion per trajnerin Kuqi. Ky padyshim që nuk do te jetë transferi i fundit për këtë afat”, shkruan faqja zyrtare e klubit.

Po ashtu edhe futbollisti tiranas, mbrojtësi i krahut, David Gjinollari, do të jetë pjesë e ekipit.

“Futbollisti nga Tirana, David Gjinollari, i është transferimi më i ri i skuadrës sonë në këtë afat kalimtar. Mbrojtësi i majtë, që nuk kursehet në asnjë pozitë të anës së majtë të fushës, ka vënë firmën në kontratën e klubit, duke ju bashkuar familjes sonë të madhe. Gjinollari vjen nga Kategoria Superiore, ku sezonin e fundit ishte pjesë e KF Teuta, por ka veshur edhe fanellat e KS Burreli e FC Hradec Kralove në ligën e Republikës Çeke”, shkruan faqja zyrtare e klubit.

Feronikeli 74 ka bërë ndryshime të mëdha edhe në kryesinë e klubit, ku janë afruar disa donatorë me emër. /Telegrafi/