Feronikeli ’74 nga Drenasi është kampion i Viva Fresh Ligës së Parë në Grupin A për edicionin garues 2022/23 dhe njëherësh anëtar i ri i Albi Mall Superligës së Kosovës për edicionin 2023/24.
Skuadra nga Drenasi, të dielën, barazoi 0:0 në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren në përballje me A&N, rezultat ky i cili i mjaftoi për ta siguruar pozitën e parë në renditje, ndonëse edhe skuadra tjetër pretendente, Liria barazoi si mysafire me Rilindjen 1974 (1:1).
Në ceremoninë e ndarjes së medaljeve dhe trofeut për ekipin kampion ishte i pranishëm edhe presidenti Agim Ademi, bashkë me anëtarin e KE-së, Ismajl Ajeti dhe kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Krahas Feronikelit pjesëmarrjen në elitë një javë më parë e ka siguruar edhe Fushë Kosova. Ndërkohë, nga Viva Fresh Liga e Parë janë përshëndetur Vëllaznimi dhe Arbëria.