Reperi nga Gjilani, Feronit Shabani apo siç njihet për publikun Fero, u largua nga kompania muzikore “On Records” në gusht të vitit 2019.
Duke qenë se u ndanë në mënyrë paqësore për të vazhduar karrierën si solo artist, duket se bashkëpunimi i tyre akoma nuk ka përfunduar tërësisht.
Së fundmi u bë e ditur se 24-vjeçari është kthyer sërish në vendin ku bëri bujë të madhe e ‘shpërtheu’ si një artist i ri i estradës.
Lajmi është konfirmuar edhe nga menaxheri i ON Records, Mehmet Elshani, në një prononcim dhënë për Telegrafin.
Ai tha se Fero zyrtarisht është kthyer në shtëpinë, ku edhe e mori famën, në “On Records”.
“Po Fero zyrtarisht është kthyer në shtëpinë ku e ka marrë famën në On Records dhe shumë shpejt do të sjellim dy super hite të padiskutueshme që do jenë hite të kësaj vere”, tha Elshani për Telegrafin.
Tutje, ai shtoi se kanë bërë një kontratë disavjeçare dhe se bashkëpunimi i tyre erdhi për shkak të raporteve të mira që kanë ruajtur me njëri-tjetrin.
“Kontrata është disavjeçare. Bashkëpunimi ka ardhur pasi që ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë më herët dhe pas raportit të vazhdueshëm të mirë që kemi pasur tërë kohën, kemi biseduar të bashkëpunojmë sërish dhe të krijojmë muzikën që e ka pëlqyer publiku më herët”, thekson ai.
Disa nga hitet që Fero krijoi në ON Records ishin: “Fol edhe 1 her”, “Gang Gang”, “A pe din qysh”, “Ride or Die”. /Telegrafi/