Site icon Telegrafi

Fernando Alonso shiti Ferrari Enzo-n e tij për 5.4 milionë euro

Piloti aktual i Formula 1 në ekipin e Aston Martin, spanjolli Fernando Alonso, shiti Ferrari Enzo-n e tij për një çmim marramendës.

Enzo vlerësohet shumë në treg dhe fakti që vjen direkt nga koleksioni i Alonso-s, i siguron vlerën e shtuar, transmeton Telegrafi.

Vetura është shitur në një ankand në Monako për 5.4 milionë euro, që është dyfishi i çmimit aktual të këtij modeli në treg. Mesazhi i Alonso u transmetua edhe gjatë shitjes.

“Kjo veturë do të thotë shumë për mua, kam kaluar shumë mirë duke e drejtuar. Është vërtet një vepër magjike arti. E di që do të jetë në duar të mira, i kërkoj pronarit të ri që të kujdeset për të dhe ta shijojë”, tha Alonso.

Veturaa ka një nga trupat e parë të prodhuar për Enzo, Scocca no-1, që do të thotë se është një nga njësitë më të hershme.

Ferrari prodhoi vetëm 400 njësi të Enzo-s, si dhe 30 vetura garash FXX të bazuara në Enzo. Ferrari i Alonso-s është lyer me ngjyrë të kuqe Rosso Corsa, dhe ka kaluar vetëm 4,800 kilometra që kur u largua nga fabrika në vitin 2011.

Vetura mban emrin e themeluesit të kompanisë, Enzo Ferrari, dhe ky model ishte ‘ikona’ nga Maranello gjatë fillimit të viteve 2000, dhe vazhdoi aty ku F40 dhe F50 lanë.

Është i njohur për shasinë e tij prej karboni. Fuqizohet nga një motor V12 6.0 litërsh që zhvillon 650 kuaj-fuqi. Enzo përshpejton nga 0 në 100 km/h për 3.6 sekonda dhe arrin një maksimum prej 350 km/h.

Exit mobile version