Telegrafi

Fermeri britanik ka vendosur një kamerë të rreme shpejtësie për të reduktuar numrin e aksidenteve

Një fermer britanik ka vendosur një kamerë të rreme shpejtësie të bërë nga një kuti zogjsh, për të reduktuar aksidentet në atë zonë.

Nick Porter e ka ndërmarrë këtë veprim pasi lutjet e banorëve drejtuar zyrtarëve për uljen e kufirit të shpejtësisë, nuk u dëgjuan fare.

Rruga A1017 në Braintree të Essex, ishte skenë e aksidenteve të shumta vdekjeprurëse, por duket se që kur Porter ka vendosur kamerën, ato janë reduktuar.

Ky veprim vjen pasi ajo zonë nuk ka të instaluar asnjë pajisje sigurie, ose masë qetësuese të trafikut.

Që kamera të duket sa më reale, Porter e ka lyer atë me të verdhë, dhe ajo ngjason në një kamerë zyrtare shpejtësie.

Chris Siddall, këshilltari i qarkut të Essex, ka theksuar se i kuptonte shqetësimet e vendasve, dhe se tashmë ka rekomanduar uljen e kufirit të shpejtësisë në atë zonë në 64 km/h.

Gjithashtu, ekipi i inxhinierisë së sigurisë rrugore, kanë deklaruar se pas çdo aksidenti në atë vend, do të kryhen hetime të plota. /Telegrafi/