Telegrafi

Fermeri i fëllënzave

Fermerët që merren me sektorin e shpezëtarisë, në fermat e tyre, krahas pulave, po arrijnë të mbajnë edhe disa shpezë specifike, siç janë fëllënzat, të cilat në vendin tonë deri vonë nuk janë rritur në këto ferma, pasi që fermerët nuk e kanë të leverdishme rritjen e tyre për tregun vendor. Por, viteve të fundit, duke parë se produktet e këtyre shpezëve po importohen dhe kërkesat për to janë mjaft të mëdha, fermerët kanë filluar që në fermat e tyre shpëzëtare të mbajnë edhe fëllënzat.

Dardan Seferaj nga Drenasi, i cili merret me shpeztari, është njëri ndër këta fermer që në fermën e tij mban fëllënzat, të cilat i sjellin atij edhe të ardhura të mira financiare për familjen. Dardani ka nisur të merret me mbajtjen e fëllënzave, para pesë viteve. Ai thotë se ka leverdi në vazhdimësi, që kur ka nisur të merret me ketë veprimtari.

“Para pesë viteve kam nisur të merrem me mbajtjen e fëllënzave. Së pari kemi importuar vezët nga Italia,pastaj i kam çelur ato dhe tash kam 15 mijë fëllënza”, thotë ai për portalin Ferma Ime. Sipas tij, ka leverdi mbajtja e fëllënzave pasi që ato japin vezë e poashtu mund të shitet edhe mishi i tyre për të cilin ka mjaft interesim. “Po vezët e fëllënzave shkojnë 30 copa 5 euro, ndërkaq mishi i tyre shitet 2 euro copa nëpër restorante”, ka thënë pronari i fermës së fëllënzave, Dardan Seferaj.

Ai tregon se shitje ka mjaft, deri sa ka arritur edhe të eksportojë edhe jashtë shtetit. “Po vezët dhe mishin e fëllënzave përveç që e shes në tërë Kosovën, atë e eksportojmë edhe në vendet e rajonit. Deri më tani kemi eksportuar në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe vende të tjera”, tregon ai. Ky shpezëtar thotë se krejt këtë veprimtari e ka nisur me buxhet vetanak, pasi nuk është përkrahur nga askush. Dardan Seferaj tregon se pavarësisht se a do të ketë përkrahje, ajo ai do ta vazhdojë këtë veprimtari.

“Po kemi plane dhe do të vazhdojmë me zgjerimin e veprimtarisë, respektivisht do ta rrisim numrin e fëllënzave, tash jemi duke e përgatitur fermën edhe për 50 mijë copë fëllënza pasi po ka leverdi dhe shitje të tyre”, tha Seferaj. Ai ka treguar se varësisht nga numri i shpezëve rritet edhe numri i të punësuarve. “Aktualisht kemi katër punëtorë por me zgjerimin e numrit të fëllënzave ky numër i punëtorëve mund të shkojë deri në 15 punëtorë por varësisht prej punës që do te kemi ky numër edhe mund të rritet”, tha Dardan Seferaj, nga Drenasi i cili drejton fermën e fëllënzave.

Në anën tjetër zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, kanë treguar se në sektorin e prodhimtarisë së vezëve janë aktiv rreth 100 shpezëtarë me gjithsej rreth 800 mijë pula vojse. Ky sektor, sipas tyre është i konsoliduar mirë dhe mbulon pothuajse të gjitha nevojat e tregut të brendshëm. Krahas kësaj, ata tregojnë se 70 për qind e fermave janë relativisht të vogla në këtë sektor dhe kanë prej 1200, deri në 10 mijë pula, ndërsa rreth 20 ferma kanë mbi 10 mijë, deri në 100 mijë pula. E prodhimtaria e përgjithshme e vezëve, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, sillet në mbi 200 milionë vezë në vit. Ky sektor, po ashtu është përkrahur nga kjo ministri përmes granteve investive si dhe përmes subvencioneve për njësi të pulave vojse.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, nga subvencionet e MBPZHR-së, janë përkrahur 58 shpeztarë me një vlerë prej 240,304 euro./FermaIme/Telegrafi/