Këshilltari politik në Ministrinë e Shëndetësisë, Ardian Ferizi ka thënë se në shëndetësi ka pasur lëvizje pozitive dhe sipas tij ndryshimi ka ndodhur në aspektin e menaxhimit, pasi aty ka qenë më së tepërmi i nevojshëm ndryshimi.
Ferizi në emisionin “Përballje” me Muhamet Hajrullahun ka thënë krahas ndryshimeve në menaxhim, kanë filluar t’i pajisin klinikat me inventarin e nevojshëm.
“Por, krahas ndryshimeve në menaxhim kemi filluar edhe të pajisim klinikat me inventarin e nevojshëm”.
Sa i përket ligjit të sigurimeve shëndetësore, këshilltari politik në Ministrinë e Shëndetësisë ka thënë se nuk është mirë të nguten.
“Nuk duhet të ngutemi që pastaj ligji pas dy apo tri viteve të ndryshohet përsëri”.
Këshilltari politik në Ministrinë e Shëndetësisë ka thënë se njëri ndër prioritetet e ministrit Uran Ismaili është edhe rritja e pagave për mjekët dhe infermierët.
“Shkollimi i mjekëve specialistë zgjat 12 vite dhe është e pandershme të mos paguhen dinjitetshëm”.
Ferizi ka thënë se për Ministrinë e Shëndetësisë është e rëndësishme kompletimi i institucioneve shëndetësore me personelin adekuat dhe parandalimi i largimit të mjekëve ekzistues.
“Do të rishqyrtojmë politikat e pranimit të specializantëve, në mënyrë që të mbulojmë vendet vakante”, deklaroi Ardian Ferizi./Telegrafi/