Aktivistja Neri Ferizi ka treguar për një rast që përmes platformës “TikTok” u ngacmuan 30 vajza të mitura në Mitrovicë.
Ajo thotë se kanë kërkuar nga deputetët e Kosovës që “TikTok” të bllokohet në Kosovë për shkak të mungesës së kontrollit.
“Jua kanë publiku fotografitë dhe i kanë quajtur me epitete të ndryshme. Shkuam në Polici por për mua ishte zhgënjyese sepse nuk donin të merrnin dëshminë time dhe videot i kishin në “TikTok”. Kanë kërku me qenë viktimat aty, i kam bindur me shku por kur e kanë përfundu dëshminë Policia më ka thënë se nuk ka shansa me i gjetë sepse “TikTok”-u nuk jep të dhëna për këta persona”, deklaroi ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.
Tutje Ferizi thotë se jashtë Prishtinës është më e vështirë të luftohen rastet e tilla të ngacmimeve.
Mungesa e besimit në institucione është problematikë, sipas Ferizit.
Ajo thotë se gratë nuk po u besojnë institucioneve as për ofrimin e ndihmës juridike falas.
Në emisionin “Kallxo Përnime” u diskutuat për veprimet e grupit ‘AlbKings’ dhe arrestimin e disa prej tyre.
Shumë gra e vajza të Kosovës janë bërë viktimë e një grupi, të quajtur “AlbKings” në rrjetin social “Telegram”.
Ky grup ka shpërndarë numra të telefonave të grave e vajzave, duke i shqetësuar, ngacmuar apo edhe duke u përpjekur t’i shantazhojnë. /Kallxo.com/