Site icon Telegrafi

Ferizajt i merren 400 mijë euro për borxhe

Të paktën 400 mijë euro i janë marrë komunës së Ferizajt nga buxheti i këtij viti në emër të shlyerjes së borxheve me përmbarues privat. Thuhet se kjo ka ardhur si pasojë e asaj se komuna e Ferizajt nuk i ka dalë që më kohë t’i shlyejë borxhet ndaj operatorëve ekonomik.

Zyrtarë komunal e kanë pranuar se kjo shifër e borxhit është marr nga pozicioni i projekteve kapitale gjë që ka sjellë në vështirësi edhe realizimin e disa prej projekteve të parapara.

Në anën tjetër përfaqësues nga shoqëria civile kanë thënë se kjo në vete përbën një keqmenaxhim ngase komuna nuk ia ka dalë që më kohë t’i shlyej obligimet ndaj operatorëve ekonomik.

Drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë, Gafurr Ilazi, ka pranuar se këto mjete buxhetor të marra me përmbarues privat u shkaktojnë vështirësi por në asnjë mënyrë nuk e kanë rrezikuar ndonjë projekt kapital. “Vështirësi kemi kur nga thesari na thonë se nga cili projekt mund të tërhiqen paratë, ndërsa ne jemi munduar që të marrim mjete nga pak nëpër projekte të ndryshme për të mos rrezikuar ndonjë projekt kapital”, ka thënë Ilazi.

Mos-planifikimet adekuate buxhetore sipas shoqërisë civile i sjellin këto probleme dhe krijojnë pasoja. Drejtori ekzekutiv i INPOS-s, Arbër Kadriu, thotë se këto pasoja më shumti i vuan qytetari i Ferizajt. “Komuna e Ferizajt nuk ka arritur që të përmbushë obligimet ndaj palëve kontraktuese, si rrjedhojë e paaftësisë për planifikim të mirë të projekteve. Ky keq-planifikim qon në obligime, të cilat komuna nuk po mund t’i përmbushë, dhe është normale që në proceset gjyqësore të humbasë rastet dhe kështu komunës i merren mjetet nga kategoritë e caktuara”, ka thënë Kadriu.

Mësohet se komuna ka fatura të papaguara edhe nga viti 2012, por zyrtarët komunal thonë se prej vitit të ardhshëm kjo situatë nuk do të përsëritet ngase komuna i ka në dispozicion një milion euro më shumë për pozicioni e shërbimeve dhe mallrave. /Telegrafi/

Exit mobile version