Ferizaj ka fituar në udhëtim te Feronikeli ’74 me rezultat 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e dhjetë në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ekipi i Arsim Abazit ka vazhduar formën e lartë në kampionat duke marrë edhe fitoren e tretë radhazi dhe duke u afruar me ekipet e mesit të tabelës.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja ekipet, por përkundër rasteve, portat mbeten të paprekura edhe ekipet shkuan në pushim me rezultat me rezultat 0-0.
Në pjesën e dytë, pati më shumë raste nga të dyja ekipet, por vetëm mysafirët arritën të gjejnë golin.
Goli i vetëm në këtë ndeshje erdhi në minutën e 78-të të ndeshjes me anë të Abdeen Abdul, i cili shënoi për 1-0 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.
Pas kësaj fitore, Ferizaj e sheh veten në kuotën e 13 pikëve në vendin e shtatë, po aq sa ka Suhareka në vendin e gjashtë, ndërsa Feronikeli mbetet i fundit me vetëm dy pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, “Ujqit” e presin Malishevën, ndërsa “Industrialistët” udhëtojnë te Llapi. /Telegrafi/