Anëtarët e Kuvendit të Komunës të Ferizajt, u mblodhën sot në seancën e rregullt mujore, ku në shenjë solidariteti me banorët e zonave të prekura nga tërmeti në Shqipëri, kanë ndarë 10,000 euro.
Seanca nisi me një minutë heshtje dedikuar viktimave që shkaktoi tërmeti ditë më parë në Shqipëri. Me propozimin e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, u fut edhe një pikë e re e rendit të ditës, që ka të bëj me ndihmën në vlerë financiare prej 10,000 eurove për banorët e zonave të prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Sipas njoftimit të komunës, arsyetimin e kësaj pike e bëri drejtorja e Financave, Sebahate Ajeti Sadiku e cila tha se me autorizimin e kryetarit të Komunës dhe miratimin nga Kuvendi, përkundër vështirësive buxhetore që ka Komuna e Ferizajt, në shenjë solidariteti me banorët e zonave të prekura nga tërmeti, ndahen 10,000 euro, si vazhdimësi e mbështetjes që ka dhënë Komuna e Ferizajt për këtë qëllim, duke ndihmuar, organizuar e mbështetur drejtpërdrejt grupet e ndryshme komunitare.
Temë tjetër që pati diskutime të shumta mes anëtarëve të Kuvendit ishte edhe raporti i Komisionit për Emërtimin e Rrugëve dhe Shesheve. Delegatët e Kuvendit dhanë vërejtjet, sugjerimet e propozimet e tyre përkitazi me këtë dokument, sqarimet e së cilës i dha kryetari i këtij komisioni, Faik Selmani dhe pas së cilës u miratua me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, ky raport përfshirë edhe vendosjen e emrave të dy Dëshmorëve të Kombit, Ahmet Hoxha e Ramadan Rexhepi, si emërtime të dy shesheve.
Pika tjera që u diskutuan e që u miratuan nga anëtarët e Kuvendit ishin edhe vendimi për shpërndarjen e druve, zëvendësimi i përfaqësuesit të FSK-së në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, vendimi për miratimin e Planit Komunal për Ri-integrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar, vendimi për miratimin e Rregullores për Tatimin në Pronën e Paluajtshme për vitin tatimor 2020, si dhe vendimi për miratimin-harmonizimin dhe transferin e mjeteve nga kategoria ekonomike paga dhe mëditje.