Telegrafi

Ferizaj e nis me fitore sezonin e ri, triumfon ndaj Feronikelit ’74 në shtëpi

Ferizaj ka arritur fitore me rezultat 2-1 ndaj Feronikelit ’74 për të marr kështu tri pikët e para në elitën e futbollit kosovar për sezonin 2024/2025.

Vendasit arritën që të kalojnë në avantazh në minutën e 31-të, por goli i Betim Haxhimusës u anulua për pozicion jashtë loje.

Ferizajasit arritën që të kalojnë në epërsi në minutat shtesë të pjesës së parë, kur Edon Sadriu shënoi për rezultatin 1-0 në minutën e 50-të.

‘Ujqit’ e dyfishuan rezultatin kur në minutën e 51-të lojtari mysafir Florent Avdyli shënoi në rrjetën e portës së tij për rezultatin 2-0.

Të besuarit e Arsim Abazit nuk u ndalën më kaq dhe shënuan sërish, kësaj radhe me anë të Albion Kurtaj i cili në minutën e 61-të realizoi për 3-0, por goli i tij u anulua nga VAR-i.

Ferizaj në fakt ishin të pafat pasi plotë tre gola u anuluan pas intervenimit nga dhoma e VAR-it.

Mysafirët arritën ta ngushtojnë rezultatin me anë të përforcimit të ri Hasan Hyseni, i cili në minutën e 75-të shënoi për rezultatin 2-1.

Ky gol nuk ishte i mjaftueshëm për Feronikelin ’74 pasi Ferizaj ia doli ta menaxhojë mirë epërsinë e krijuar për të marr tri pikët e para në Albi Mall Superligë.

Javën e ardhshme Ferizaj do të jetë mysafir i Malishevës ndërsa Feronikeli ’74 do ta pres në shtëpi Llapin./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore