Në zbatim të vendimit të ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, gjatë këtyre ditëve ka vazhduar zbatimin e masave Covid- 19, gjithnjë në përputhje me Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid 19.
Në njoftimin e bërë për media nga Policia e Kosovës thuhet se për këtë periudhë janë shqiptuar 344 gjoba, si dhe janë dhënë 106 vërejtje policore.
“Angazhimet policore janë duke vazhduar në bashkërendim dhe koordinim edhe me mekanizmat tjerë ndër-institucional, inspektorët, ku i gjithë ky angazhim ka reflektuar si masë parandalimi dhe ngritje e nivelit të respektimit të këtyre masave. Policia, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për respektimin e masave, ka shtuar kontrolle në qendrat tregtare, lokalet e gastronomisë, transportit publik të udhëtarëve, e po ashtu edhe kontrollin e respektimit të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve pas orës 22:30-05:00”, thuhet në njoftimin e bërë për media.
Tutje, në njoftim thuhet se “Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, falënderon të gjithë qytetarët që në masë të madhe po i respektojnë këto masa, njëkohësisht apelon për respektimin e këtyre masave nga të gjithë, në të mirë të shëndetit publik”. /Telegrafi/